Zani Çaushi nisi të “shtrojë” rrugën drejt lirisë një vit më parë

I dënuari përjetë Myrteza Caushi, i njohur si Zani i “bandës së Çoles” në Vlorën e vitit 1997, ka nisur prej më shumë se një viti të përgatisë terrenin për lirim nga qelia.

Pas transferimit nga burgu i Burrelit në atë të Drenovës në Korçë, Zani Çaushi i është drejtuar me një kërkesë penale gjykatës së këtij qyteti. Sipas vendimit të siguruar nga A2, në kërkesën e depozituar në mars të vitit të kaluar dhe e pranuar në korrik të të njëjtit vit, Çaushi ka kërkuar llogaritje të kohës së paraburgimit. Sipas Çaushit, në një vendim të Gjykatës së Tiranës që ka bashkuar disa dënime të dhëna kundër tij, vuajtja e dënimit nuk është llogaritur nga shtatori i vitit 1997, kur ai është prangosur, por dy vite më vonë.

Njëkohësisht, ai ka kërkuar që t’i njihej si kohë paraburgimi qëndrimi në qeli deri në vitin 2010, kur kishte marrë formë të prerë një dënim ndaj tij. Për një të dënuar të përjetshëm, llogaritja e ditëve të paraburgimit dhe e kohës së qëndrimit në qeli ka vetëm një qëllim, plotësimin e kushteve ligjore që mund të nxjerrin nga qelia.

Në kërkesën e depozituar së fundmi në Gjykatën e Korçës, Myrteza Çaushi kërkon liri duke pretenduar se ka kryer 25 vite dënim, ka sjellje të mirë, si edhe ka për t’u kujdesur për dy fëmijët e tij të mitur.