Kodi Zgjedhor, Rama: Reagimi i opozitës presidenciale dhe asaj jashtë parlamentit, i papranueshëm

edi rama 1100x620

Pas miratimit të marrëveshjes së 5 qershorit, mes mazhorancës dhe opozitës jashtë parlamentit, në komisionin e ligjeve, kryeministri Edi Rama doli në një konferencë për mediat, nga ku u shpreh se reagimi i opozitës jashtëparlamentare dhe opozitës presidenciale është i papranueshëm, qoftë në aspektin etik, politik dhe kombëtar.

“Komisioni i ligjeve kaloi draftin e dakordësuar me opozitën jashtëparlamentare në 5 qershor. E kemi votuar me shumicë, jo me konsensus sepse opozita parlamentare refuzon të pranojë mosdepolitizimin e komisioneve të votimit dhe të numërimit, çka është lëshimi i madh i bërë nga PS, jo me hirin e objektivave të veta, por me pahirin e një nevoje për ta përfshirë opozitën jashtë parlamentit në proces. Dje, komisioni i ligjeve i hapi rrugë pjesëmarrjes së qytetarëve jo vetëm në zgjedhjen e partive, por edhe dhënin e pëlqimit për deputetët, njëkohësisht pa rrezikuar një arritje madhore të PS dhe jo vetëm, përfaqësimin e grave dhe vajzave në kuvend. Kjo nismë ka pasur konsensus të plotë me opozitën parlamentare.

Jemi në mes si shumicë qeverisëse dhe si PS, të dy palëve, me të cilat kemi konsensus të plotë me atë që këto palë më vete duan dhe nuk kemi konsensus me atë që më vete këto palë nuk duan. Reagimi i opozitë jashtëparlamentare dhe opozitës presidenciale është i papranueshëm, qoftë në aspektin etik, politik dhe kombëtar. Unë e di, ju e dini, që as opozita jashtëparlamentare dhe presidenciale, nuk vlerësojnë dhe as e respektojnë kuvendin e Shqipërisë, por kjo nuk e ndryshon faktin që parlamenti është sovran. Në aspektin etik nuk është e denjë që kuvendi të sulmohet, të anatemohet, të përbuzet”, u shpreh Rama