Rama: Ky parlament “jolegjitim” voton reformën, nuk mendoj se Meta është Nastradini

Kryeministri Rama u pyet nga gazetarja e A2, Marsela Karapanço, nëse do të shkojnë deri në fund ndryshimet kushtetuese, të cilat janë quajtur ditën e sotme nga presidenti Meta si “aventurë”.

“Nëse janë vetëm 82 deputetë legjitim, ashtu siç thotë Meta, atëherë ne nuk votojmë dot as marrëveshjen e 5 qershorit, që presidenti e pëlqen aq shumë. Kush do ta votojë këtë? Cila është përgjigjja për këtë? Apo është si ‘qershitë e Nastradinit’. Ka qershi të mira dhe ka qershi të pangrënshme, sipas oreksit.

Presidenti është ndryshe në këtë pikë nga Basha, ai e njeh shumë mirë aritmetikën. Presidenti, në mënyrë të vazhdueshme komunikon me parlamentin. Në momente të ngërçit të madh kemi pasur bashkëpunim. Unë nuk mendoj se parlamenti është shporta e qershive të Nastradinit dhe ashtu siç nuk mendoj se presidenti është Nastradini. Mendoj se në këtë pikë është e qartë se presidenti është në opozitë, Presidenca është një seli e opozitës dhe kemi tre opozita aktualisht, parlamentare, jashtëparlamentare dhe presidenciale”, u shpreh Rama.