Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, qytetarët votojnë mes masave strikte kundër koronavirusit

Në rrethana krejt të pazakonta të një pandemie globale, nën një protokoll strikt që kërkon mbajtje maske e dezinfektim në hyrje e dalje të qendrave të votimit, qytetarët e Maqedonisë së Veriut, votojnë sot në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Qendrat e votimit u hapën në orën 7:00 të mëngjesit, me procesin që pritet të vijojë deri në 21:00, 2 orë më shumë se normalisht për të shmangur grumbullimet dhe minimizuar rrezikun e infektimit. Të parët që iu drejtuan kutive në qendrat ku mbizotëronte qetësia, ishin kryesisht të moshuarit.

Në shtetin ku koronavirusi ka prekur mbi 8 mijë vetë e ka marrë gati 390 jetë njerëzish, ka shqetësime për pjesëmarrje të ulët në zgjedhje. Në daljen e parë publike në ditën e tretë, dhe kryesore të votimit, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve njoftoi se procesi deri në këto momente po shkon pa probleme dhe se pjesëmarrja deri në orën 9:00 ishte 5,16%. Procesi zgjedhor po mbikëqyret nga 2508 vëzhgues vendorë dhe 98 të huaj, ndërsa 6 mijë forca policore janë angazhuar për të siguruar mbarëvajtje të procesit zgjedhor.