9 fitore në 9 ndeshjet, Reali gati të festojë sot titullin

real madrid 600x338

Asnjë skuadër, të paktën në 5 kampionatet kryesore të Europës, nuk ka pasur ecurinë e Realit të Madridit që prej rifillimit të futbollit.

Pauza e pandemisë rezultoi efektive në maksimum për “Los Blankos” që në katër takimet e fundit përpara se futbolli të pezullohej, grumbulloi vetëm 4 pikë, ndërsa tashmë me rikthimin e La Ligas, skuadra e Zinedine Zidane ka fituar 9 nga 9 ndeshje të luajtura. E kundërta ndodhi në kampin e Barcelonës, problemet e së cilës u shfaqën menjëherë në fushat e lojës duke gabuar në disa takime.

Katalanasit e dorëzuan kreun dhe tashmë mbrojtja e kurorës bëhet thuajse e pamundur kur kanë mbetur edhe 2 javë për t’u luajtur dhe Real kryeson me 4 pikë më shumë. Polemikat nga skuadrat rivale nuk kanë munguar, teksa disa 11-metërsha që kanë rezultuar vendimtare për fitoret e madrilenëve, janë cilësuar si të tepruara. Megjithatë, këtë të enjte, galaktikët kanë mundësinë e parë për t’u shpallur kampion.

Fitorja përballë Villarealit do t’i jepte Realit titullin, me festën që do vinte ashtu siç “Los Blancos” e dëshirojnë, në Madrid. Gjithsesi, klubi i ka bërë thirrje tifozëve të shmangin grumbullimet masive në qytet, ashtu siç është tradita, kjo për të parandaluar rrezikun e infektimeve nga koronavirus. “Ju lutem, mos festoni në Sibeles Fountin. Festoni me flamurin e Realit të Madridit në Ballkonet tuaj. Mund të bëjmë shumë gjëra argëtuese, por s’duhet të humbasim vigjilencën për virusin”- kështu i drejtohet mbështetësve klubi madrilen.