Sondazhi i ISHSN, Çela: 86% e shqiptarëve e duan integrimin, por nuk njohin kushtet

Drita jeshile në fund të marsit për të çelur negociatat e BE-së me Shqipërinë mban në nivele të larta pritshmëritë e shqiptarëve për t’iu bashkuar unionit.

Instituti Shqiptar i Studimeve Ndërkombëtare (ISHSN) ka kryer një sondazh në rang kombëtar, ku rezulton se 86% e shqiptarëve janë pro anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Por, a është gati Shqipëria për të qenë pjesë e familjes europiane?

46% mendojnë që nuk është gati, 38% mendojnë se është gati, ndërsa 16% nuk e dinë.

Pavarësisht kushteve, shqiptarët reflektojnë pozitivitet në përmbushjen sa më të shpejtë të kushteve.

Drejtoresha ekzekutive e ISHSN, zonja Alba Çela, nënvizon se edhe pse flitet kaq shumë për integrimin, shqiptarët nuk dinë se ka disa pengesa që duhen kaluar. Gjetjet e sondazhit dëftojnë që vetëm 32% e të të anketuarve kishin njohuri mbi kushtet, ndërkohë që 16% nuk e dinin që vendimi i hapjes së negociatave ishte i kushtëzuar.