Të gjithë në kërkim të skafit me drogë, zbulojnë rastësisht klandestinë

Një operacion policor kundër trafikut të lëndëve narkotike në Vlorë përfundoi me kapjen e disa emigrantëve klandestinë të mbërritur në Shqipëri.

Policia Kufitare, Forcat Delta, Roja Bregdetare dhe Guardia di Finaza, me mbështetje edhe nga një helikopter dhe një dron nga ajri, u vunë në ndjekje të një gomoneje të pikasur për herë të parë në orën 7:00 të mëngjesit. Autoritetet vunë re lëvizje të dyshimta të mjetit në afërsi të ishullit të Sazanit dhe u vunë në ndjekje të tij, për konstatimin dhe bllokimin e gomones.

Dyshimet kryesore janë që gomonia është përdorur për të dërguar lëndë narkotike drejt Italisë dhe ishte duke u kthyer në Shqipëri. Ose mund të kishte ngarkesë droge për ta fshehur në Karaburun, nga ku ngarkimi gjatë natës është më i thjeshtë.

Për gati 5 orë në det të hapur skafistët arritën t’i shpëtojnë bllokimit duke dhënë shfaqje në ujërat territoriale shqiptare. Pavarësisht angazhimit të forcave të shumta, skafistët arritën tu futen në grykëderdhjen e lumit Vjosa. Gomonia u gjet e braktisur në afërsi të Mifolit, por skafistët edhe aty arritën t’i arratisen Policisë.

Në zonë e njohur si bazë trafiku nisi një operacion i gjerë tokësor për t’i kapur. Por në vend të trafikantëve, u kapën një grup klandestinësh të cilët u pikasën në mënyrë rastësore.