Messi akuzon Barcelonën: Humbëm titullin, rrezikojmë edhe në Champions

messi 1100x620

Lionel Messi flet rrallë dhe pak, por deklaratat e tij tronditin Barcelonën. Kjo ndodhi edhe pas humbjes në “Camp Nou” me Osasuna-n, në një kohë kur Reali i Madridit u zyrtarizua kampion i Spanjës.

Argjentinasi shfaqi të gjithë zhgënjimin e tij, pas një sezoni ku katalanasit dukeshin favoritë për titullin, por në shumë raste zhgënjyen me paraqitjet e tyre, praktikisht duke ia dhuruar kampionatin rivalëve të mëdhenj.

“Nuk e prisnim këtë epilog, por e gjithë kjo konfirmon ecurinë e sezonit. Jemi një skuadër e dobët, e cila ka humbur pikë atje ku nuk duhej. Reali bëri punën e tij dhe pas ndalesës së kampionatit nuk humbi asnjë ndeshje. Kemi lënë shumë për të dëshiruar me paraqitjet tona dhe nëse vazhdojmë kështu do ta kemi të vështirë të fitojmë Champions”, u shpreh Messi.

Kapiteni i Barcelonës konfirmoi se është i zemëruar për mënyrën si kanë rrjedhur ngjarjet. Tri javët në vazhdim duhet t’i shërbejnë blaugrana-ve për t’u përqendruar deri në sfidën e 8 gushtit me Napolin, për një biletë në fazën finale të Champions League.