Vendoset data dhe ora e mbledhjes së Këshillit Politik

tryeza reforma zgjedhore 1100x620

Mbledhja e tryezës së Këshillit Politik do të mbahet ditën e hënë, në orën 11:00.

Në këtë mbledhje, përveç anëtarëve të Këshillit, do të jetë i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama dhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.

Kryeministri Rama bëri me dije sot se ishte i gatshëm që ndryshimet kushtetuese të diskutoheshin në Këshillin Politik, ashtu siç Presidenti Ilir Meta ishte shprehur në takimin e mëngjesit të sotëm me kreun e PD-së, Lulzim Basha.

“PS nuk ka asnjë obligim ndaj PD, LSI përveç marrëveshjes së 5 qershorit, të cilën do ta mbështesë deri në fund! Por nëse opozita presidenciale (OP) mendon se nisma zyrtare kushtetuese ia vlen të diskutohet në Këshillin Politik, PS s’ka si të jetë kundër, madje megjithë OP në tryezë! PS e ka gjithë vullnetin të bëjë çdo përpjekje për ta bindur PD, LSI, OP për dobinë që nisma kushtetuese ka për Shqipërinë, e unë jam i gatshëm të shkoj vetë në Këshillin Politik këtë herë, ku po erdhi dhe LB apo edhe IM nëse dëshirojnë, do jetë edhe më mirë padyshim. Gati që të hënën!”, shkruante Rama.

Opozita e pranoi ftesën duke theksuar se marrëveshja e 5 Qershorit duhet të miratohet sa më parë dhe pa asnjë ndryshim dhe për këtë arsye, nuk mund të rihapet asnjë çështje që është dakordësuar aty.