Tomini: Edhe të rinj në gjendje të rëndë, pritet përkeqësim i situatës

Rëndohet situata në spitalet COVID, ku vijojnë të rriten shtrimet dhe pacientët në gjendje të rëndë. Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, shpërndau pamje ku tregohet se çfarë ndodh brenda Spitalit infektiv. Pacientë të moshuar e të rinj në oksigjen, me dhembje të forta që ua shkakton sëmundja e të tjerë për fat të keq në terapi intensive dhe në intubim.

Përfaqësuesja e Task Forcës, Eugena Tomini, thotë për A2 se virusi nuk zgjedh. Në dy spitalet COVID, të shtruarit dhe rastet e rënda janë të moshave të ndryshme: “Virusi po paraqet një atipizim, po kap edhe moshat e reja, me simptomatikë të moderuar dhe të ashpërsuar. Situata është e rënduar”.

Veçanërisht për ata që ende nuk e besojnë praninë e virusit, epidemiologia Eugena Tomini ka një mesazh: “Njerëz që e kanë përjetuar virusin, e kuptojnë shumë mirë se ç’do të thotë kjo sëmundje”.

Ndërsa mbarë popullatës i kërkon të heqë dorë nga normaliteti i vjetër dhe të zbatojë rregullat mbrojtëse për të frenuar përhapjen e virusit. 

Specialistët nuk janë aspak optimistë kur flasin për javët në vijim dhe përhapjen e infeksionit: “Në 3 javët në vijim do të kemi tendencë të lartë të rasteve të konfirmuara, kontaktet kanë qenë të shumta dhe nuk janë respektuar masat për distancim fizik”.

Epidemiologët këmbëngulin për zbatimin e vendimit për mbajtjen me detyrim të maskës në ambiente të mbyllura, por theksojnë se ajo duhet të vendoset edhe në vende të hapura ku nuk ruhet dot distanca.