Kanye West përlotet gjatë tubimit presidencial: Gati vrava vajzën time

Kanye West nuk tërhiqet nga gara për Shtëpinë e Bardhë. Reperi amerikan mbajti tubimin e parë zyrtar në fushatën presidenciale, të nisur në Karolinën e Jugut, teksa pati kritika kundër rrjeteve sociale, pornografisë dhe abortit.

West po diskutonte për politikë me mbështetësit dhe në një pikë nuk i mbajti dot lotët. “Mamaja më shpëtoi jetën. Babai donte të më abortonte. Por mamaja më shpëtoi. Nuk do të ekzistonte Kanye West, vetëm sepse babai im ishte shumë i zënë. Për pak do vrisja vajzën time…”.

Këtë deklaratë West e zgjeroi më tej duke nënvizuar se bashkëshortja, Kim Kardashian, solli në jetë vogëlushen North edhe pse ai nuk e dëshironte një gjë të tillë. 43-vjeçari po fliste pa një skript të qartë dhe po bënte deklarata nga çfarë i vinte në mendje, pa një mikrofon në dorë dhe veshur mbante një jelek antiplumb.

Fansat e West kanë vënë në dyshim kandidaturën e tij të minutave të fundit për zgjedhjet presidenciale amerikane pasi dyshojnë se e gjithë kjo është një reklamë promocionale për një album këngësh që pritet të dalë së shpejti. Tubimi i fundit nuk qartësoi asgjë, por dyshimet e shtuan dhe më shumë pasi reperi publikoi në Twitter një listë këngësh, të cilat mendohet se janë pjesë e albumit të ri.