Osmani: Partitë shqiptare të mbështesin BDI-në, përndryshe humbet pesha e faktorit shqiptar

Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së, deklaroi në një lidhje direkte me “Ditari” në A2 se BDI-ja është e vetmja parti që mund të sigurojë 61 firma për të formuar qeverinë.

Kur u pyet mbi marrëveshjen e vështirë me Zoran Zaev, Osmani tha: “Kushtetuta thotë që partia që siguron 61 firma deputetësh merr mandatin nga kreu i shtetit për të formuar qeverinë. Mendoj që kapacitet për të siguruar 61 firma ka vetëm BDI-ja, ndaj ne i lëmë të hapura të gjitha opsionet për të biseduar me të gjitha partitë politike, ato që do të pranojnë ofertën tonë që është kryeministri shqiptar, ruajtja e marrëveshjeve të Ohrit, Prespës dhe me Bullgarinë. Këto zgjedhje nuk kanë dhënë fitues te maqedonasit, pasi numrat mes tyre janë të përafërt”.

“Kryetari Ahmeti i ka bërë thirrje krerëve të partive shqiptare për bashkërendim forcash dhe i ka ftuar për bashkëpunim. Ka një parim mes nesh, që partia fituese mes shqiptarëve duhet të mbështetet nga partitë e tjera shqiptare gjatë negociatave me partitë maqedonase. Nëse nisin pazaret anësore, humb pesha e faktorit shqiptar. Unë besoj se partitë shqiptare janë të pjekura mjaftueshëm për të pranuar rezultatin dhe për t’i dhënë Ali Ahmetit legjitimitetin që të flasë edhe në emër të tyre kur të komunikojë me partitë politike maqedonase. BDI punon jo vetëm për shqiptarët, por për të gjitha komunitetet”, shtoi Osmani.

Sipas Osmanit, “partitë maqedonase e kanë kuptuar që ka ardhur koha për një kryeministër shqiptar”.

“Qeveria e ardhshme do të jetë për negociata me BE-në. Në kushte të tilla, është e rëndësishme që të ketë një kryeministër që nuk është pjesë e polit LSDM dhe VMRO, që për 30 vite kanë ndarë pushtetin. Është koha për një kryeministër apartiak, si Naser Zyberi, që do të krijojë kushte për një qeveri inkluzive të dedikuar për negociatat që na presin”, tha Osmani.