
Betimi i gjyqtarëve kushtetues, PS pranon dekretin e Metës, bie mekanizmi zhbllokues
Mazhoranca u tërhoq nga ligji për mekanizmin zhbllokues në betimin e gjyqtarëve kushtetues, që kishte miratuar më herët. Komisioni i Ligjeve pranoi dekretin e Presidentit Meta që e ktheu për rishqyrtim këtë nismë ligjore, me arsyetimin se cenonte kompetencat e tij kushtetuese.
Bledar Dervishaj, këshilltar për çështjet ligjore i Kreut të Shtetit, tha para deputeteve se Kushtetuta sanksionon se betimi i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese bëhet vetëm para presidentit dhe kjo nuk mund të ndryshonte me ligj.
Në emër të socialisteve, relatorja Klotilda Ferhati tha se mazhoranca nuk tërhiqej nga nisma, por kishte vendosur të pranonte këshillën e Komisionit të Venecias, që sugjeronte vendosjen e mekanizmit zhbllokues në Kushtetutë. Komisioni i Ligjeve rrëzoi dekretin tjetër të Presidentit që lidhej me betimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe atyre të SPAK.