“Drejtësia në kolaps, vetting-u nuk është i barabartë për të gjithë”, Gjin Gjoni jep dorëheqjen nga statusi i gjyqtarit

Gjin Gjoni, gjyqtar i Apelit Tiranë, ka paraqitur dorëheqjen nga statusi i gjyqtarit dhe nga funksioni i gjyqtarit të Apelit. Kërkesa është depozituar disa ditë më parë në KLGJ.

Burime pranë KLGJ-së bëjnë me dije se në kërkesën e paraqitur, Gjoni pretendon se sistemi i drejtësisë është në kolaps dhe lëvizjet e sita e vetting-ut nuk ka të njëjtat parametra e kritere të barabarta për të gjithë.

Sipas Gjonit, shumë kolegë të tij që kanë dënuar eksponentë të krimit të organizuar janë flakur nga sistemi vetëm se nuk i do partia, ndërkohë që shumë të tjerë kanë kaluar pavarësisht paligjshmërisë gjatë ushtrimit të detyrës si gjyqtarw.

“Për 7 vite me radhë u jam nënshtruar sulmeve personale të paskrupullta dhe tërësisht politike. Sulmeve politike nuk u jam përgjigjur sepse kam zgjedhur të bëj rolin e gjyqtarit, por mesa duket asnjë element procedurial nuk ka mbetur dhe gjithçka kontrollohet politikisht. E vetmja gjë që më ka mbetur për të shpërblyer publikun është dorëheqja ime”, shprehet Gjoni.

Gjin Gjoni heq dorë kështu nga statusi i gjyqtarit, anëtar i Gjykatës së Apelit dhe anëtar i Kolegjit Zgjedhor.