Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Opozita jashtë parlamentit: Rama ka zhbërë marrëveshjen e 5 qershorit, po thyen besimin e ndërkombëtarëve

Nga A2 CNN
21 Korrik 2020, 22:02 | Politikë
Opozita jashtë parlamentit: Rama ka zhbërë marrëveshjen e 5

Pas marrëveshjes së firmosur këtë të martë mes mazhorancës dhe kryetarëve të grupeve parlamentare, me përjashtim të grupit demokrat, për votimin në kuvend të “5 qershorit” të enjten dhe hapjen e listave me 30 korrik, ka reaguar opozita jashtë parlamentit.

Në deklaratë thuhet se “ndryshimi i njëanshëm kushtetues për ndalimin e koalicioneve zgjedhore zhbën të dyja marrëveshjet politike për zgjedhjet, atë të 14 janarit dhe atë të 5 qershorit”.

“Akti i sotëm është dëshmi e planit diabolik të Edi Ramës që të miratojë fillimisht për fasadë marrëveshjen e 5 qershorit, të vërë në lojë partnerët tanë strategjikë, SHBA dhe BE dhe vetëm 1 javë më vonë ta zhbëjë marrëveshjen me ndryshime të njëanshme kushtetuese, që ndalojnë koalicionet si subjekt zgjedhor. Edi Rama gënjen, kur thotë se po hap listat, sepse pjesën fituese të tyre, 1/3 e listës, e mban të mbyllur, duke dalë zbuluar se i vetmi qëllim është ai i ndalimit të koalicioneve si subjekt zgjedhor”.

Më tej, theksohet se Rama po thyen besimin e partnerëve ndërkombëtarë. “Zhbërja nga Edi Rama i marrëveshjeve të 14 janarit dhe 5 qershorit përbën një akt të rrezikshëm me pasoja të paparashikueshme për stabilitetin e vendit. Ky akt i paprecedentë në 30 vite pluralizëm është, po kështu, një thyerje e rëndë e besimit të partnerëve strategjikë. SHBA dhe BE që u investuan, përshëndetën dhe vazhdojnë të insistojnë në zbatimin e marrëveshjes së 5 qershorit pa asnjë ndryshim dhe pa ndryshime kushtetuese që e shkatërrojnë atë. Ky akt tinzar prej frikacaku tregon tmerrin e kryeministrit në ikje nga zgjedhjet dhe rotacioni i pashmangshëm. Opozita e Bashkuar garanton të gjithë qytetarët se do të bëjë gjithçka, që faturën e rëndë që ky akt sjell për demokracinë, stabilitetin dhe integrimin e vendit ne Bashkimin Europian, ta paguajë vetëm Edi Rama dhe jo Shqipëria e shqiptarët”, mbyllet reagimi i opozitës.

https://a2news.com/2020/07/21/rama-kam-bindjen-qe-5-qershori-kalon-ne-kuvend-te-enjten-basha-te-mos-beje-gabimet-e-te-shkuares/

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani