Protesta për mbylljen e klubeve të natës, policia procedon 12 persona

Policia e Tiranës njoftoi procedimin e 12 personave pas protestës së djeshme të artistëve para Kryeministrisë. Këta persona akuzohen për “Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Pasditen e djeshme, artistë, punonjës e pronarë të klubeve të natës protestuan para Kryeministrisë pasi qeveria ndaloi hapjen e klubeve të natës, diskove, “lounge bar”-eve dhe çdo lloj shërbimi të kësaj natyre në mjedis të mbyllur apo të hapur, përveç restoranteve.

“Gjatë zhvillimit të tubimit, Policia para se të ndërhynte për të shpërndarë tubimin, u ka bërë thirrje protestuesve që të shpërndaheshin, pasi nuk kishin marrë leje për zhvillimin e tij. Më pas, Policia shpërndau protestuesit, duke bërë disa shoqërime dhe ka filluar procedimin penal për 12 persona, si organizatorë të tubimit tek bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, pasi kanë organizuar dhe protestuar në mënyrë të paligjshme, pa lejen e organeve kompetente”, lexohet në njoftimin e policisë.