Reforma Zgjedhore, Krasniqi: Lojë politike, reforma është shumë më e thellë sesa ajo që diskutohet në Këshill Politik

Analisti i A2, Afrim Krasniqi, komentoi aktualitetin politik në vend, në një lidhje direkte me studion e “Ditari”.

Sipas tij, takimi i djeshëm i Këshillit Politik u bë vetëm për një qëllim: për t’u krijuar ndërkombëtarëve idenë që gjërat po diskutohen dhe që kriza politike po shmanget.

“Takimi i djeshëm u bë më shumë për partnerët ndërkombëtarë, për t’u krijuar atyre idenë që gjërat po diskutohen dhe që kriza politike po shmanget. Kështu që, nuk pati përpjekje nga palët për të ndryshuar pozicionin e tyre politik. Fakti që sot Komisioni i Ligjeve e kaloi draftin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, është një lloj përpjekjeje e mazhorancës për të fituar kohën e humbur me ndryshimet kushtetuese dhe për të shkuar në një presion të ri ndaj opozitave, duke pasur tashmë dy oferta: ndryshimet kushtetuese dhe ndryshimet në kod. Për t’u thënë ndërkombëtarëve që ne e mbajtëm premtimin për 5 qershorin, por nuk kemi votat e nevojshme në Parlament dhe jemi pjesë e negociatave me opozitën e re. Kjo është një lojë politike pasi Reforma Zgjedhore është shumë më e thellë sesa ajo që u diskutua atje”, tha Krasniqi.

Në lidhje me takimin e sotëm të ambasadores Yuri Kim dhe kryeministrit Edi Rama, Krasniqi: “Ambasada do të ishte aktive pasi ishte kujdestare në dialogun politik. Për më tepër, u investua edhe Sekretari Amerikan i Shtetit. Në këto rrethana, mazhoranca ka përgjegjësinë për ta kaluar draftin në Parlament, për arsye se vetë një nga pikat e Këshillit Politik është se marrëveshja kalon pa ndryshime. Që në momentin që e ka firmosur këtë gjë, mazhoranca e ka pranuar këtë kosto politike dhe këtë përgjegjësi publike. Fakti që ndryshoi mendje gjatë rrugës nuk lidhet me ndryshimin e raporteve në Parlament, pasi ajo i ka votat e nevojshme për ta kaluar, por lidhet me llogari elektorale dhe me nevojën e saj për të ndryshuar klauzola siç ishte ajo e koalicioneve në mënyrë që të krijojë privilegje elektorale. Në këtë rast, duhet të kishim transparencë më të madhe të aktorëve ndërkombëtarë dhe një rol të ODIHR-it për të parë nëse ndryshimet e kaluara në Parlament janë në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it”.

Sa i përket Reformës në Drejtësi, Krasniqi nënvizoi se publiku dhe ndërkombëtarët prisnin diçka tjetër nga ajo që po shohim: “Kemi patur disa akte parlamentare, ku përfshihet edhe komisioni për shkarkimin e Presidentit, që kanë pasur në thelb interpretimin e Kushtetutës në kuadër të Reformës në Drejtësi. Ajo që shohim është se perceptimi i politikanëve për Reformën në Drejtësi është ndryshe nga ai i ndërkombëtarëve dhe nga ai i publikut. Ndërkombëtarët prisnin institucione të pavarura dhe drejtësi të shpejtë, ndërsa publiku priste që drejtësia e re të sulmonte të korruptuarit, të hiqte praktikat burokratike dhe të siguronte drejtësi për qytetarët. Ndërsa perceptimi i politikanëve është që do të ndryshojmë disa individë dhe institucione dhe do të vendosim njerëzit tanë, që të interpretojnë siç duam aktet tona politike. Reforma ka patur sukses në aspektin e vetting-ut, por nga ana tjetër nuk janë plotësuar dhe nuk janë bërë funksionale organet e reja të drejtësisë për të siguruar drejtësi më të mirë se ajo që kishim”.

Duke folur për përfundimin e punës së komisionit hetimor për Ilir Metën, Krasniqi tha: “Ka një pakt të ri politik dhe këtë e pamë me zgjedhjen e KLSH-së, me miratimin e Eurobondit nga Presidenti dhe disa akte të tjera. Ajo që ndodhi në Komisionin Hetimor është fyerje për demokracinë dhe konceptin e shtetit. Deputetët që kishin iniciuar kërkesën për shkarkimin e Presidentit u tërhoqën dhe bënë sikur nuk kishin kërkuar asgjë. Njerëz të tillë duhet të kërkojnë falje publike për koston institucionale që i sollën vendit, për krizën politike që shkaktuan dhe për shumën që kanë përfituar në ushtrimin e një funksioni, qëllimin e të cilit nuk e përmbushën”.

Sipas Krasniqit, Shqipëria vazhdon ende të jetë në vend numëro: “Referuar agjendës së Bundestagut, Shqipëria duhet të kishte Reformë Zgjedhore konsensuale, ndërsa në pikat e tjera nuk kemi bërë hapa para. Nuk kemi asnjë zyrtar të përballur me drejtësinë, nuk kemi hapa konkretë për Gjykatën Kushtetuese, kandidaturat kanë qenë fyerje për sistemin vetëm duke kandiduar. Po shohim që në mungesë të kësaj gjykate, është ekzekutivi dhe partitë që interpretojnë Kushtetutën dhe kjo sjelljë është parademokratike. Në kohën që Evropa ka probleme me koronavirusin, imagjino të çojmë problemet tona politike në Bruksel. Ne nuk po marrim përgjegjësi publike për reforma reale”.