Seria A, Juventus vendos dorën te titulli

cristiano 1100x620

Juventus është një hap larg titullit të nëntë me radhë në kampionatin italian. “Zonja e Vjetër” gjeti hakmarrjen duke mundur 2-1 në përballjen direkte Lazion, skuadrën që e rivalizoi në pjesën më të madhe të sezonit.

Dy gola të Cristiano Ronaldos, i cili vendosi një tjetër rekord teksa u kthye në futbollistin e parë në botë që shënon mbi 50 herë në 3 kampionate të ndryshme, Angli, Spanjë dhe Itali, i mjaftuan torinezëve për t’u rikthyer te suksesi pas ngërçit me dy barazime radhazi në kampionat.

Ylli portugez arriti kuotën e 30 golave këtë sezon në Serinë A, po aq sa Ciro Immobile, sulmuesi i lacialëve, i cili provoi të rihapte ndeshjen me golin nga pika e bardhë, por nuk ia doli, pasi kampionët në fuqi ditën se si të ruanin 3 pikët.

Juventus tashmë është 8 pikë larg nga vendi i dytë, që i përket Interit. Nëse bardhezinjtë triumfojnë në takimin e ardhshëm përballë Udineses dhe zikaltrit e Interit ndalen përballë Fiorentinës, atëherë në Torino do të ketë festë, me Juventusin që do të arrinte të shpallej kampion për të nëntin sezon pa ndërprerje.