“Do të kesh rrugën, por s’ka makina që kalojnë”, Caslli tregon ku duhet të investohet për rimëkëmbjen nga pandemia

Shqipëria ka përfituar një fond prej 280 milionë eurosh në formë huash nga Bashkimi Europian, për rimëkëmbjen nga pandemia. Por Maks Caslli, drejtori ekzekutiv i “Deloitte” në Shqipëri dhe Kosovë tha në A2 Business Week se, më tepër sesa shuma, është e rëndësishme ku do të shkojnë ato para.

“A do të investohen që të rimëkëmbet ekonomia, apo do të shkojnë për emergjenca. Do të ketë rënie të ndjeshme të konsumit, të ardhura të qeverisë do të bien. Kështu që është një rreth vicioz që kërkon zgjuarsi se ku do të shkojnë këto para. Një recesion i thellë kërkon shumë para. Në momentin aktual nuk mendoj se ka mungesë likuiditeti, por nuk ka ide të qarta se ku do të shpenzohen këto para”, tha ai.

“Investimet në rrugë, hidrocentrale duhen, ndoshta duhet të ishin bërë edhe më parë, por jo tani, meqë gjetëm paratë, të bëjmë atë që nuk kemi bërë më parë. Duhen investime që kanë kthim të shpejtë, në mënyrë që të ketë efekt afatshpejtë, jo afatgjatë”.

Caslli shtoi se duhet parë struktura e bizneseve shqiptare, në mënyrë që të shpëtohen ato që rrezikohen më shumë. “Është i thjeshtë ekuacioni. Nëse bën një rrugë – mirë është të bëhet, nuk jam i sigurt nëse është momenti i duhur – natyrisht që i ndihmon turistët në Vlorë ose në Sarandë. Por nëse turistët do të vijnë, nëse nuk vijnë nuk të ndihmon rruga. Duhen parë investime edhe në industri të tjera, në të kundërt do të kesh rrugën, por s’ka makina që kalojnë në rrugë”.

Sipas Casllit, ecuria ekonomike është ende e varur nga koronavirusi. “Flitet që vaksina do të dalë në janar. Në Shqipëri, do të vijnë nga prilli, maji. Që do të thotë që sezoni turistik do të preket prapë vitin tjetër. Mendoj që turizmi në vitin 2022 do të fillojë të ketë frymëmarrje. Problemi është që ne na mungon vizioni si vend. Kjo krizë ka nxjerrë në pah këtë të metë. Bujqësia ka problemet e veta, por me gjithë problemet që do të ketë Europa, qytetarët do të kenë nevojë për produkte. Pra është diçka që ecën shpejt. Në çdo gjë tjetër nuk e ka të qartë çfarë do të ndodhë. Fasoneria do të presë çfarë do t’i thonë klientët europianë. Që të hysh në segmente të tjera është shumë e vështirë në këtë moment. Duhen paketa ndihmëse, por duhet që të bëhen të lidhen ngushtë me biznesin”, tha ai.