Gara për rektor, Shahini “përplaset” me Konin për 30 korrikun

Universiteti i Tiranës nuk gjen qetësi. Pak ditë para zgjedhjeve për drejtuesit e rinj të shkollave të larta, vijojnë përplasjet në distancë mes rektorit aktual, Mynyr Koni dhe ministres së Arsimit, Besa Shahini.  

Përmes një shkrese zyrtare ndaj Universitetit të Tiranës, për dijeni kreut të shtetit, Ilir Meta dhe kryeministrit Edi Rama, ministrja e Arsimit i drejtohet Mynyr Konit se nuk mund të mbajë peng zgjedhjet në universitete duke krijuar tensione. Besa Shahini thekson se mandatet e anëtarëve të Komisionit Institucional Zgjedhor, të shkarkuar nga rektori Koni, janë të vlefshme, ndërsa sqaron se përse 30 korriku u vendos datë zgjedhjesh pas dy shtyrjeve nga pandemia.

Ndërkohë, rektori Koni, në letër-përgjigjen e tij, thekson se anëtarët e Komisionit Zgjedhor janë në paligjshmëri të plotë dhe mbështetin një grup të caktuar pedagogësh për të kthyer në drejtimin e Universitetit të Tiranës kastën e vjetër. Kreu aktual i Universitetit të Tiranës thotë se zgjedhjet e 30 korrikut nuk janë të ligjshme.

Prej katër vitesh universiteti më i madh publik është në krizë institucionale e në përplasje dhe brenda të vetëve. Ndërkohë, pas një jave, në kushtet e pandemisë, do të mbahen zgjedhjet për kreun e ri të këtij institucioni dhe në të gjitha shkollat e larta publike.

Rreth 750 pedagogë dhe 30 000 studentë të Universitetit të Tiranës do të zgjedhin mes tre profesorëve, Mimoza Hafizit, Kozeta Sevdarit dhe Artan Hoxhës.