Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Rritja e rasteve me koronavirus, epidemiologu: Nuk është populli fajtori kryesor

Nga A2 CNN
22 Korrik 2020, 10:19 | Aktualitet
Rritja e rasteve me koronavirus, epidemiologu: Nuk është populli

Epidemiologu Fabian Cenko, nga Universiteti Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, u shpreh në studion e “Dita jonë” në A2 se rritja e rasteve me Covid-19 në vendin tonë vjen si një shumatore “e gjithçkaje që bën virusi, bëjnë njerëzit, institucionet dhe qeveritë”.

“Është një virus i paparashikueshëm. Pa dyshim që në botë ka sëmundje shumë më të rënda, por janë sëmundje që dimë se si sillen. Ndërsa në rastin e koronavirusit shohim që gjysma e familjes e merr e gjysma jo. Është një virus që nuk njihet dhe mjekësia është më shumë në pozita mbrojtëse”, tha Cenko.

Sipas doktorit, faji kryesor nuk është i popullatës për situatën e krijuar, por e institucioneve: “Rritja e shifrave ditore në javët e fundit tregon që diku po gabojmë. Është një algoritëm shumë kompleks që nis me mënyrën se si institucionet ngrenë sisteme që monitorojnë, parandalojnë dhe kontrollojnë marrjen e masave. Duhet të ketë burime njerëzore dhe financiare që t’i përgjigjen këtyre masave dhe në fund duhet që popullata të reagojë dhe t’i përgjigjet këtij standardi. Nuk mund të dalim para kamerave dhe ta fillojmë diskursin me popullatën. Popullata është ajo që ne ndërtojmë. Nëse kemi dy muaj që themi popullata nuk po i përgjigjet këshillave, a e studion dikush se kush është arsyeja e kësaj? A është studiuar pse popullata nuk po i ndjek rekomandimet?”

Kur u pyet mbi vaksinën, Cenko u shpreh se lajmet që lexohen janë deprimuese për shqiptarët: “Vendet po bëjnë një luftë shkencore dhe politike që largon vëmendjen nga ajo që duhet të bëjmë sot. Dëgjojmë që Italia bleu 60 milionë vaksina, Britania kaq të tjera e kështu me radhë. Vendet si Shqipëria, kur dëgjojnë këto lajme, deprimohen më shumë”.

A2 CNN Livestream

Dita jonë