Shtëpia e Zotit, shtëpia e emigrantëve

Pas ditëve me radhë ecje në terren të ashpër, vjen një moment kur kallot e këmbëve kurohen dhe një sy gjumë të sjell në vete. Kjo mund të duket si ëndërr për emigrantët që ecin mes përmes Shqipërisë, për të arritur Europën, por Fra Angelo de Padova e ka bërë realitet në Beltojë, 7 kilometra nga Shkodra.  

Fatlumët kësaj radhe ishin 3 të rinj nga Maroku, por thuajse çdo ditë grupe të tilla të vogla gjejnë strehim të përkohshëm, për t’u nisur më tej drejt Malit të Zi. “Pasi të pushojmë këtu, do të shkojmë në Malin e Zi e më pas në Bosnjë, Kroaci, Slloveni dhe në fund në Itali, me ndihmën e Zotit”, thotë njëri prej tyre.

Duket si një aventurë e priftit që bie ndesh me ligjin për ndihmë të emigracionit të paligjshëm, por kleriku siguron që i ka marrë masat. Udhëtimi nga Maroku drejt Italisë, duket si një odise më vete. “Nga Turqia në Greqi kaluam për 22 ditë, ndërsa nga Greqia drejt Shqipërisë kemi ecur 7 ditë. Këtu na kanë dhënë ushqim, kemi fjetur dhe madje na kanë dhënë edhe para”, tregon një emigrant.

De Padova ka menduar edhe për mallin që ata kanë për familjen pasi iu ka siguruar internet që të komunikojnë me ta. Pushimi në këtë parajsë tokësore mbaron shpejt dhe emigrantët nisen sërish, duke marrë me vete bekimet e njeriut të Zotit, që ndonëse i përket një feje tjetër me ta, nuk ua kursen lutjet për të mbërritur shëndoshë e mirë në destinacion.