Email-et e Këshillit Politik bëhen publike, Gjiknuri-opozitës jashtë parlamentit: Hiqni dorë nga paralajmërimet kërcënuese

24 QERSHOR REFORMA ZGJEDHORE ORA 21 00 frame 69279 1100x620

Komunikimet mes mazhorancës dhe opozitës jashtë parlamentit vijuan edhe pas mbylljes së takimit të sotëm të Këshillit Politik, ku palët nuk arritën ndonjë marrëveshje sa i përket hapjes së listave.

Opozita parlamentare ishte e para që i dërgoi një email Damian Gjiknurit, madje e bëri publik atë, ku i komunikohej qëndrimi se PD dhe LSI nuk ishte kundër dialogut, duke thirrur edhe mbledhjen ditën e premte.

Nuk vonoi shumë dhe Gjiknuri kthen përgjigje po me email, duke e bërë publik atë për mediat. Gjiknuri u drejtohet Bylykbashit dhe Vasilit duke u thënë se kanë reflektuar dhe u kërkon të dërgojnë propozimet në funksion të reflektimit në ligjin elektoral të hapjes së listave që sanksionohen nga ndryshimi kushtetues.

Më tej, Gjiknuri kërkon edhe heqje dorë “nga paralajmërimet kërcënuese në komunikimet elektronike”, siç i quan ai.

Bisedimet online nuk u ndalën as këtu, pasi opozita jashtë parlamentit pati sërish një email për Damian Gjiknurin. Opozita jashtë parlamentit thekson se ndryshimet kushtetuese bëhen fakt i kryer dhe nuk ka vend për dialog.

Email-i i Damian Gjiknurit, drejtuar Oerd Bylykbashit dhe Petrit Vasilit

Të nderuar z.Bylykbashi dhe z.Vasili,

E kuptoj nevojën tuaj të motivuar politikisht për të nisur letra pune në formë deklaratash politike për qëllime mediatike. Por unë nuk kam dizinformuar askënd dhe thjesht kam thënë të vërtetën e mbledhjes si gjithmonë. Takime që siç i gjithë opinioni publik e di, bëhen me rekorde dhe nën vëzhgimin nga afër të partnerëve tanë ndërkombëtarë.

Më lejoni të ju rikujtoj se në mbledhjen e datës 21 Korrik, Kryetari i Partisë Socialiste z.Edi Rama ju ftoi të jepni kontributin tuaj në funksion të përshtatjes së ligjit elektoral me nismën e opozitës parlamentare për hapjen e listave zgjedhore, nismë tashmë e miratuar në Këshillin e Rregullores dhe Komisionin Parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut.

Z.Rama ju ftoi që të shtroni çdo pikëpyetje tuajën, të diskutoni çdo merak dhe të dakordësohemi për sa i takon korrektimeve që nevojitet të bëhen në ligjin elektoral për të reflektuar sanksionimin e hapjes së listave zgjedhore.

Qëndrimi juaj ishte kategorik dhe refuzues për të diskutuar mbi këtë çështje pa u miratuar paraprakisht amendamentet e ligjit elektoral bazuar mbi produktin e marrëveshjes politike të 5 Qershorit.

Jo më larg se dje keni refuzuar të vini në Këshillin Politik, pikërisht sepse siç e keni shprehur edhe publikisht nuk donit të diskutonit për temën e ndryshimeve kushtetuese, që sipas jush jo thjesht cenon marrëveshjen, por as nuk ekziston si temë. Edhe thënia që në mesazhin tuaj i vini në gojë Kryeministrit, nuk ka aspak kuptimin që ju qëllimisht i vishni në komentin tuaj. Besoj ju e dini se ndryshimet kushtetuese në procedurën parlamentare janë të pandryshueshme si të tilla, çka sidoqoftë nuk kam asnjë problem ta diskutojmë nëse qëndron apo jo qoftë edhe si fakt i shkruar e zeza mbi të bardhë.

Ditën e sotme, Kuvendi i Shqipërisë miratoi pa asnjë ndryshim projektligjin e amendimeve në ligjin zgjedhor. Në mbledhjen e sotme të Këshillit Politik ju kërkova të shpreheni nëse jeni dakord të diskutoni mbi këtë çështje. Ju refuzuat që të diskutoni duke mos njohur dhe injoruar nismën e 28 deputetëve të opozitës parlamentare dhe gjithë procedurat e ndjekura nga një organ plotësisht legjitim si Kuvendi i Shqipërisë.

Nga emaili juaj i fundit, nënkuptohet se keni reflektuar dhe keni ndryshuar qëndrim ndërsa shpreheni të gatshëm të jepni kontributin tuaj për reflektimin në ligj elektoral të sanksionimit kushtetues për hapjen e listave.

Duke e përshëndetur këtë reflektim tuajin nëse është i tillë, ju kërkoj që të dërgoni paraprakisht propozimet tuaja në funksion të reflektimit në ligjin elektoral të hapjes së listave që sanksionohet nga ndryshimi kushtetues.

Duke ju rikujtuar se në datën 30 Korrik, Kuvendi voton amendamentin kushtetues që hap listat, ju shpreh gatishmërinë e mazhorancës për tu ulur në tryezë sapo ju të keni dërguar paraprakisht propozimet që do ti bëni Këshillit për këtë çështje.

Në fund, do të ju lutesha shumë që t’i lini mënjanë paragjykimet dhe opinionet propagandistike. Vërtetë ju mungon foltorja e Parlamentit prej ku u larguat me vullnetin tuaj të lirë, por e-mailet e punës dhe tryeza e punës së Këshillit nuk janë mjete propagandistike. Gjithashtu, do ju lutesha të hiqni dorë nga paralajmërimet kërcënuese në komunikimet elektronike sepse e bëjnë qesharake tryezën e punës sonë të përbashkët dhe dëmtojnë qëllimin e saj.

Në funksion të konfirmimit të mbledhjes së radhës së Këshillit, ju lutem edhe njëherë sa më shpejt të na vini në dispozicion paraprakisht propozimet tuaja.

Faleminderit

Damian Gjiknuri

Email-i i Oerd Bylykbashit dhe Petrit Vasilit, drejtuar Damian Gjiknurit

Po ju përsërisim se në dialog politik, nuk mund të veprohet me teorinë e faktit të kryer! Është gabim dhe miqësisht vlerësoni mundësinë për të reflektuar për këtë qëndrim të paprecedentë.

Edhe në email tuaj ju e bëni ndryshimin kushtetues fakt të kryer dhe na ftoni të dialogojmë sesi do ta detajojmë në ligjin elektoral.

Këtë fakt nuk pranoi Opozita në mbledhje dhe nuk mund ta pranojmë, sepse ne i qëndrojmë strikt marrëveshjeve politike që kemi nënshkruar, dhe se ndryshimet kushtetuese për çështjet e zgjedhjeve duhet të bëhen gjithmonë në një proces gjithëpërfshirës dhe të hapur. Ato nuk mund të na serviren si fakt i kryer, ndërkohë që ne po ju kërkojmë të diskutojmë bashkërisht për çdo çështje që lidhet me zgjedhjet.

Teorinë e faktit të kryer ju e aplikoni edhe në email tuaj të fundit. Po ju citoj:

                1.            “Kryetari i Partisë Socialiste z.Edi Rama ju ftoi të jepni kontributin tuaj në funksion të përshtatjes së ligjit elektoral me nismën për hapjen e listave zgjedhore, nismë tashmë e miratuar”;

                2.            “Z.Rama ju ftoi që dakordësohemi për sa i takon korrektimeve që nevojitet të bëhen në ligjin elektoral për të reflektuar sanksionimin e hapjes së listave zgjedhore.”.

                3.            “shpreheni të gatshëm të jepni kontributin tuaj për reflektimin në ligj elektoral të sanksionimit kushtetues për hapjen e listave.”. [Kjo është e pavërtetë sepse nuk kemi thënë këtë në email tonë]

                4.            “ju kërkoj që të dërgoni paraprakisht propozimet tuaja në funksion të reflektimit në ligjin elektoral të hapjes së listave që sanksionohet nga ndryshimi kushtetues.”

                5.            “në datën 30 Korrik, Kuvendi voton amendamentin kushtetues që hap listat.”.

Ne nuk kemi refuzuar dialogun as dje, as sot dhe as kurrë. Siç ju e dini, kishim konfirmuar që jemi në pamundësi për të qenë në mbledhje dje dhe kërkuam që mbledhja të zhvillohet sot. Por edhe mbledhjen ju e bëtë fakt të kryer.

Unë dhe kolegu Vasili do të jemi nesër në mbledhjen e Këshillit Politik për të diskutuar për çdo çështje që ju mendoni se duhet të trajtohet në kuadër të Reformës Zgjedhore.

Mirëpresim pa asnjë paragjykim të na parashtroni qëllimin e iniciativës së njëanshme që keni ndërmarrë dhe që na e keni vënë në dispozicion vetëm në mbledhjen e datës 20 Korrik, pra vetëm 3 ditë më parë!!! Mbi këtë jemi të gatshëm të diskutojmë pa asnjë shtrëngim kohor, sepse Kushtetuta e Shqipërisë nuk mund të trajtohet si rregullore kooperative që shqyrtohet, diskutohet e miratohet për 3 ditë!!! Aq më tepër ku ajo prek zgjedhjet, ku çdo aktor zgjedhor dhe parti politike duhet të ketë zërin dhe mendimin e tij, në një proces gjithpërfshirës, të sinqertë dhe të hapur.

Shihemi neser! Ju përshëndesim!

Oerd Bylykbashi

Petrit Vasili