Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Opozita jashtë parlamentit: Nuk kemi refuzuar diskutimet, kërkojmë mbledhjen e Këshillit Politik

Nga A2 CNN
23 Korrik 2020, 20:26 | Politikë
Opozita jashtë parlamentit: Nuk kemi refuzuar diskutimet,

Edhe pse qëndruan për më shumë se një orë në mbledhjen e të martës në Këshillit Politik, mazhoranca dhe opozita jashtë parlamentit, duket se nuk kanë arritur asnjë marrëveshje mes tyre, pasi kanë vijuar sërish bisedimet, këtë herë me anë të email-eve.

Opozita jashtë parlamentit reagoi në mbrëmje duke publikuar një e-mail, i cili i është dërguar Damian Gjiknurit, ku theksohet se opozita nuk ka refuzuar diskutimet.

Opozita e bashkuar kërkon që ditët e nesërme të mblidhet sërish Këshilli Politik, por pa cenuar marrëveshjen e “5 qershorit”.

Z. Gjiknuri,

Duke ndjekur deklarimin tuaj publik dhe të Kryetarit të Partisë Socialiste, shprehim keqardhjen tonë për dezinformimin e opinionit publik në lidhje me qëndrimin e opozitës në mbledhjen e sotme të Këshillit Politik. Ne nuk kemi refuzuar të diskutojmë asnjë çështje. Opozita ka kërkuar, që çdo çështje që lidhet me zgjedhjen, të diskutohet dhe shqyrtohet në Këshill.

Sot në mëngjes në Parlament, Kryetari i Partisë Socialiste pohoi se amendamenti kushtetutes i njënanshëm që është depozituar në Kuvend, NUK NDRYSHON, sepse procedura parlamentare nuk e lejon!!! Nëse amendamenti kushtetues i njëanshëm nuk ndryshon, sepse Rregullorja e Kuvendit nuk e lejon, atëherë për çfarë po na ftoni të diskutojmë apo dialogojmë? Për një amendament që nuk ndryshon?

Ky qëndrim dhe qëndrimi juaj zyrtar sot në Këshill, dëshmon se ju nuk jeni të hapur për diskutime, ndërkohë që Opozita kërkon që diskutimi të jetë transparent dhe gjithëpërfshirës, duke hequr dorë nga FAKTI I KRYER. Teoria e “faktit të kryer” shkon kundër parimeve të dialogut politik, që nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë fasadë.

Kjo është arsye që ne kërkuam që nëse ju keni një çështje që lidhet me zgjedhjet për diskutim, atë duhet ta sillni në Këshillin Politik, për t’u përfshirë të gjithë bashkë në një proces transparent dhe gjithëpërfshirës, që lejon një produkt të përbashkët dhe konsensual, dhe jo një produkt që është paracaktuar nga ana juaj dhe ku Opozita politike e vendit është e përjashtuar. Nëse produkti është i paracaktuar në mënyrë të njëanshme dhe është i pandryshueshëm siç ju shpreheni, atëherë ju ribëj me dije se po shkelni Marrëveshjen e 14 Janarit dhe 5 Qershorit, sepse po kryeni ndryshime thelbësore në legjislacionin zgjedhor pa pyetur, diskutuar dhe marrë mendimin dhe konsensusin e Opozitës politike të vendit, duke zhbërë produktin e përbashkët të 5 Qershorit.

Gjithësesi, në vijim edhe të deklarimit tuaj të pavëretë sot në media, kërkojmë mbledhjen e Këshillit Politik nesër, ora 17:00, për të vijuar dialogun, për çdo çështje, por pa cenuar marrëveshjen e 5 Qershorit.

Mbetem në pritje të konfirmimit tuaj!

Oerd Bylykbashi

Petrit Vasili

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani