Nisma kushtetuese, Gjylameti: Jemi në një realitet të ri, politika shqiptare tashmë ka tre pole

Marrëveshja e 5 qershorit kaloi në parlament me 99 vota pro dhe votën kundër të disa deputetëve të opozitës parlamentare. Ndërkohë, PD dhe aleatët u rikthyen në Këshillin Politik, ku palët një ditë më herët dolën pa dakordësinë e opozitës për çështjen e listave të hapura. Për të folur për këto zhvillime ishte e ftuar në A2 deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti.

Deputetja e mazhorancës u shpreh se tashmë duhet të kuptojmë se politika shqiptare është jo më me dy pole, por me tre. Gjylameti thekson se edhe opozita në parlament ka kërkesat e saj, ndërsa qytetarët, sipas deputetes, kërkojnë listat e hapura.

“Ishte një risi dhe një lajm i mirë që në datën e parapërcaktuar, marrëveshja e 5 qershorit u miratua në Kuvend. Në anën tjetër, besoj se ka shumë për t’u bërë, pasi jo të gjitha rekomandimet e OSBE\ODIHR janë adresuar në këtë draft. Duhet të kuptojmë një realitet të ri në politikën shqiptare, ku politika shqiptare nuk është më me dy pole, por tashmë është me tre. Kjo nuk ka qenë për një zgjedhje të PS-së, por një zgjedhje e kryetarit të PD-së për të dalë nga parlamenti. Kushtëzimi për një marrëveshje që të arrihet një marrëveshje tjetër nuk duhet të jetë një arsye për të penguar këtë reformë kaq të rëndësishme. PS duhet të bashkëpunojë për të arritur të kalojë këtë reformë dhe do të duhet të negociojë me palët për të gjetur frymën e konsensusit. Kemi një kërkesë të opozitës parlamentare për listat e hapura, ndërsa kemi edhe kërkesën e vazhdueshme të popullit për listat e hapura. Kjo nuk është një arsye e PD për t’u tërhequr nga Këshilli Politik”, u shpreh Gjylameti.

Sa i përket sistemit aktual zgjedhor, për Gjylametin ai është me rregulla të padrejta loje. “Kemi parti që edhe pse nuk kanë marrë një sasi të caktuar votash përsëri mbeten parti politike dhe marrin nga buxheti i shtetit, nga ana tjetër kemi parti që vetëm duke qenë në koalicione marrin mandate, pavarësisht votave. PD nuk duhet të fshihet pas gishtit duke treguar si problem të vetëm çështjen e koalicioneve apo listave të hapura”, tha Gjylameti.