70% e të kthyerve nga azili nuk gjejnë dot vend pune

7 nga 10 shqiptarë që kthehen nga azili dhe emigracioni nuk gjejnë dot punë në vend. Një studim i “World Vision Albania” dhe Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, ka analizuar profilin social dhe gjendjen ekonomike të 190 individëve që janë rikthyer nga vendet e Bashkimit Europian.

Pjesa dërrmuese e të kthyerve i përkasin moshave 26-45 vjeç, kanë kryer vetëm arsimin fillor dhe janë të martuar ose pjesë e familjeve me numër të madh anëtarësh. Kështu pamundësia për të gjetur punë në vend dhe kërkesa për të plotësuar nevojat bazike të familjes janë faktorët që i shtyjnë ata drejt largimit, duke krijuar valën e madhe të azilkërkuesve shqiptarë në dyert e Europës.

Por problemi më i madh qëndron pikërisht tek riintegrimi i tyre pasi nuk marrin statusin e azilkërkuesit dhe kthehen nga autoritetet. Nga 3 në 10 veta që arrijnë të punësohen në Shqipëri, pjesa më e madhe punojnë në të zezë të pasiguruar. Ndërsa të ardhurat mesatare të familjeve për mbi një të tretën e të rikthyerve variojnë midis 10100 dhe 25000 lekë në muaj.

Sërish nevoja për të siguruar një strehë për familjen e tyre pas riatdhesimit, dëshira për një të ardhme më të mirë për fëmijët dhe mundësitë më të mira të punësimit në emigracionit bëjnë që 2 në 3 veta të shprehen të gatshëm të largohen sërish jashtë.