Boksi merr dritën jeshile, spikat dueli i shqiptarit Albi Sorra

15 duele profesioniste me boksierw nga Shqipwria, Ukraina, Bullgaria, Moldavia, Turqia, Izraeli do të zhvillohen pasditen e sotme në qytetin e Vlorës. Edhe ky sport duket se ka hedhur pas krahëve vështirësitë e pandemisë dhe ka tashmë dritën jeshile për të zhvilluar aktivitete.

Eventi organizohet nga Alban Alikaj nga Fight Club Vlora, kompania izraelito-moldave B&B Promotions dhe boksieri i njohur shqiptar Albi Sorra, i cili do të ngjitet në ndeshjen e fundit në ring në përballjen kundër bullgarit Radoslav Mitev.

Të gjithë boksierët kryen një ditë më parë peshimet zyrtare ndërsa pozuan me maska në kuadër të masa anti Covid-19.  Duelet të cilat nisin prej orës 18:00 në “Kalçeto Vlora”, e cila do të përdor për shkak të ambientit të hapur, do të transmetohen në faqen zyrtare të Facebook, Unioni i Boksit Shqiptar dhe do të zhvillohen pa praninë e publikut. Shqipëria do të kthehet kështu në vendin e 11 në Europë që lejon aktivitet e boksit gjatë periudhës së pandemisë.