Certifikohet rezultati, partitë shqiptare 32 deputetë në parlamentin e Maqedonisë së Veriut

MB REZULTATI RMV frame 798 1100x620

Komisioni Shtetëror Zgjedhor certifikoi rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme të 15 korrikut në Maqedoninë e Veriut. Lidhja Socialdemokrate, LSDM, e Zoran Zaev konfirmohet fituese me 46 mandate, ndërsa VMRO-DPMNE forcë e dytë me 44 deputetë.

Konfirmohet rritja e prezencës shqiptare në parlamentin e ri të Maqedonisë së Veriut. Bashkimi Demokratik për Integrim ka fituar 15 deputetë, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa 12 mandate, Partia Demokratike Shqiptare 1 deputet dhe Lëvizja Besa, në koalicion me LSDM, 4 mandate. Gjithsej partitë shqiptare do të kenë 32 ligjvënës.

Certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve i hap rrugën formimit të koalicioneve, pasi me rezultatin aktual asnjëra forcë politike nuk mund të qeverisë e vetme. BDI ka nisur bisedimet me partitë e tjera shqiptare për të fuqizuar rolin e tyre në parlamentin e ri, teksa kërkon që për herë të parë Maqedonia e Veriut të ketë një kryeministër shqiptar. Nga dy partitë e mëdha ende nuk ka lëvizje.