Vjen i “nxehti” politik, seanca parlamentare nga “Meta” te ndryshimet kushtetuese

Java e fundit e korrikut do të sjellë “të nxehtin afrikan” edhe në politikë, me 3 seanca plenare brenda 4 ditëve që shënojnë dhe fundin e këtij sesioni parlamentar.

E para është të hënën paradite dhe në rend të ditës do të jetë miratimi i raportit përfundimtar të komisionit hetimor “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të kryera nga ana e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të emërimit të gjyqtarëve kushtetues dhe të zhdekretimit të datës së zgjedhjeve vjet”.

Mazhoranca e nisi me kërcënime të forta e të vendosura për shkarkimin e Presidentit, por dy opinionet e Venecias e kthyen në rrugë, duke i orientuar socialistët në pushtet në zgjidhje ligjore e kushtetuese të konflikteve me Ilir Metën.

Të mërkurën do të jetë një tjetër seancë me fokus agjendën parlamentare, ku një numër i madh ligjesh të kaluara nga komisionet presin votën finale.

Por, ajo që do të ketë vëmendjen maksimale është seanca e 30 korrikut. Mazhoranca dhe opozita në Parlament ka parashikuar miratimin e ndryshimeve kushtetuese që parashikojnë hapjen e pjesshme të listave dhe heqjen e koalicioneve nga gara zgjedhore. Por, pas miratimit të Kodit Zgjedhor sipas marrëveshjes së 5 qershorit, koalicioni opozitar jashtë Parlamentit iu përgjigj presionit të kryeministrit për hapje të pjesshme liste. Oferta e saj për konsensus është hapja e listës së kandidatëve me 100% dhe lejim të koalicioneve zgjedhore. Thirrja e ndërkombëtarëve ishte që çdo ndryshim në elementet e sistemit zgjedhor të bëhet me konsensus në Këshillin Politik dhe pa cenuar frymën dhe rezultatet e marrëveshjes së 5 qershorit.