“Rebelohet” ndaj Putin krahina lindore, mijëra persona kërkojnë dorëheqjen e tij

Manifestimi i disa qindra mbështetësve të një guvernatori të shkarkuar mijëra kilometra nga Moska  rrezikon të shndërrohet në valën e protestave më të mëdha kundër pushtetit të Vladimir Putin në dekadën e fundit.

Për të tretën javë radhazi mijëra persona kanë protestuar në Khabarovsk, qytet me rreth 600 mijë banorë në lindje të vendit, jo larg kufirit me Kinën, vend me të cilin ka marrëdhënie tregtare ndoshta edhe më të ngushta se me vetë Moskën.

Protesta filloi pas shkarkimit nga Kremlini i guvernatorit Sergei Furgal, i akuzuar për vrasjen e disa biznesmenëve në vitet 2004-2005. Furgal i përket partisë nacionaliste të Zhirinovskit, dhe fitoi postin  e guvernatorit jashtë çdo parashikimi, dhe u komentua si shenjë e protestës, nga e majta ekstreme, por edhe nga e djathta, ndaj pushtetit të padiskutueshëm të Vladimir Putin.

Mbështetësit e tij që tashmë rrethojnë sheshet kryesore të qytetit, si Sheshi Lenin, akuzojnë pushtetin qendror se vendimi është marrë për të treguar forcën e saj, ndërkohë që janë të shumtë ata që mendojnë se Moska nuk ka sjellë asgjë për këtë zonë që në të kundërt e furnizon me mineral edhe lëndë të para të rëndësishme.

Organizatorët flasin për 20 mijë protestues vetëm në Khabarovsk, por raportohen manifestime edhe në qytete të tjera të lindjes së largët, përfshirë këtu kryeqendrën Vladivostok.

Ndoshta është herët për ta quajtur “rebelim”, por koret “Putin dorëhiqu!” dhe flamujt e krahinës të shpalosur në vend të atyre rusë, mund të fillojnë të shqetësojnë, 8 mijë kilometra më në perëndim, “carin” Vladimir, që pak javë më parë i ka hapur rrugën vetes për të mbajtur pushtetin të paktën deri në vitin 2036.