Pandemia, kryeministri italian kërkon shtyrjen e gjendjes së jashtëzakonshme, “e pashmangshme”

conte maske 1100x620

Me shumë gjasa, Italia do të shtyjë afatin e gjendjes së jashtëzakonshme, që mbaron më 31 korrik. Kryeministri italian Giuseppe Conte ndodhet në Senat ku po kërkon votën për të miratuar shtyrjen deri më 15 tetor.

Sipas Contes, “virusi ndodhet ende në qarkullim dhe shtyrja e gjendjes së jashtëzakonshme është e pashmangshme”.

 Edhe pse ky veprim është kritikuar nga ata që mendojnë se shtyrja e afatit përkon me vullnetin e kryeministrit për të mbajtur kompetenca të shtuara nga rrethanat në mënyre jo-demokratike, Conte nënvizoi faktin se vendimi bëhet vetëm për të bërë të mundur” ndërhyrjen e shpejtë atëherë kur do të jetë e nevojshme, dhe nuk ka asnjë vullnet për të dramatizuar situatën dhe frikësuar popullsinë”.

Dje eksperti amerikan Anthony Fauci kishte paralajmëruar se zonat e Italisë së Veriut mund të prekeshin në vjeshtë nga një valë e dytë e pandemisë së koronavirusit.