Studimi amerikan, koronavirusi mund të ketë bashkëjetuar me lakuriqët prej viteve ‘40

lakuriqi 1100x620

Koronavirusi SARS COV-2, që po shkakton pandeminë e sotme, mund të ketë bashkëjetuar me lakuriqët e natës prej më shumë se 70 vitesh.

Ky është rezultati i hulumtimit të një ekipi shkencëtarësh të Universitetit të Pensilvanisë, që kanë ballafaquar patogjenët që shkaktojnë Covid-19 me koronaviruset e tjera.

Sipas tyre, rezultati i analizave, të botuara në revistën Nature Microbiology, tregon se SARS-COV-2 është ndarë gjenetikisht nga “familja” e tij në tri epoka të ndryshme, rreth viteve 1948, 1969 dhe 1982, gjë që do të thotë se virusi ka qarkulluar te kafshët në mënyrë të fshehtë prej dekadash.

Studimi mund të jetë një provë se virusi ka origjinë natyrale dhe nuk është produkt i eksperimenteve njerëzore, por nga ana tjetër paralajmëron edhe se struktura e tij gjenetike është shumë dinamike.

“Gjenoma e virusit kombinohet në mënyrë të vazhdueshme, dhe mund të ketë burime të ndryshme. Kjo nuk do të jetë pandemia e fundit që do të përjetojmë”,  thotë Maciej Boni, profesor i Biologjisë në Universitetin e Pensilvanisë.