Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 67%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 0%

Zbardhet vendimi, arsyetimi i Apelit pse u kthye për rigjykim dosja “Tahiri”

Nga A2 CNN
28 Korrik 2020, 19:23 | Kronikë
Zbardhet vendimi, arsyetimi i Apelit pse u kthye për rigjykim dosja

Gjykata e Posaçme e Apelit zbardhi arsyetimin e vendimit që ktheu për rigjykim në Shkallën e Parë dosjen penale ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Në vendimin e siguruar nga A2, Kolegji i Apelit argumenton se Shkalla e Parë ka gabuar kur rikualifikoi akuzën për Tahirin e të bashkëpandehurin e tij Jaeld Çela nga “trafik i narkotikëve” në formën e grupit kriminal në “shpërdorim të detyrës”.

Apeli vlerëson se në ndryshimin e akuzës nuk ka rivlerësuar faktet për të cilat akuzohej Tahiri dhe Çela, por ka ngritur për ta “de facto” një akuzë të re, atë të kultivimit të narkotikëve, akuzë për të cilën as janë dyshuar e as hetuar nga prokuroria. Për më tepër, Kolegji i Apelit çmon se të pandehurve nuk u është dhënë as mundësia të mbrohen për këtë fakt.

Apeli vlerëson si kontradiktor edhe qëndrimin e vetë prokurorisë, që nga njëra anë akuzon Tahirin e Çelën si pjesë e një grupi kriminal të drejtuar nga Moisi Habilaj, e nga ana tjetër ndonëse referon vijimin e aktivitetit të këtij grupi në 2016-2017, nuk u vë atyre barrën e akuzës për kultivimin e narkotikëve.  

“Në rigjykimin e kësaj çështje penale, Gjykata e Shkallës së Parë duhet të saktësojë faktin penal të atribuuar dhe akuzën e ngritur ndaj të pandehurve, duke u shprehur në lidhje me këtë akuzë, siç është përshkruar nga prokuroria, që ka të drejtën e ushtrimit të ndjekjes penale”, përcaktonte Apeli në vendim detyrat për Gjykatën e Posaçme në rigjykimin e çështjes. 

Sipas Kolegjit, shkeljet e konstatuara nuk mund të riparoheshin gjatë gjykimit në Apel, pasi Gjykata e Shkallës së Parë nuk është shprehur për akuzat që rëndonin mbi të pandehurit, por i ka dënuar për një akuzë që nuk ishte ngritur nga prokuroria për ta. 

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani