Juve me mendje te Champions, disfatë në transfertë, nuk ka debutim për sulmuesin shqiptar

juve cagliari 1100x620

Kampionët e Italisë së Juventusit humbin 2-0 në një ndeshje pa shumë histori në Kaljiari.

Përtej Cristiano Ronaldos, që po tentonte të dyluftonte ende me bomberin e Lacios Immobile për titullin e golashënuesit më të mirë italian, por edhe europian,  Juventusi nuk kishte asnjë stimul kolektiv në ndeshjen e sotme dhe paraqitej në ishullin italian me disa ndryshime në formacionin bazë.

Ndryshime kishte edhe për Kaljarin, por të zotët e shtëpisë duken më të vullnetshëm dhe kalojnë menjëherë në avantazh me Gagliano.

Në fund të pjesës së parë, Kaljiari dyfishon me një gol të bukur të djalit të Diego Simeone, Giovanni, që siguron një fitore prestigji.

Për publikun shqiptar interesi më i madh ishte për praninë në stol të sulmuesit shqiptar Giacomo Vrioni, i cili nuk pati mundësi të kishte një debut me Zonjën e Madhe të Serisë A.