Manastirliu: Lokalet e natës, vatra infeksioni, do të rritet penaliteti ndaj shkelësve

Manastirliuuuu 1100x620

Sot në Kuvend pritet të miratohen ndryshimet dhe shtesat në aktin normativ të masave administrative sa i përket periudhës së pandemisë. Në fjalën e saj në Kuvend, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu u shpreh se lokalet e natës janë kthyer në vatra infeksioni gjatë kësaj kohe.

Ajo theksoi se këto ndryshime do të rrisin penalitetet ndaj shkelësve, deri në pezullim për një vit të aktivitetit.

“Sot miratojmë ndryshimet dhe shtesat në aktin normativ të masave administrative sa i përket periudhës së pandemisë. Duam të përcaktojmë vendosjen e penaliteteve për lokalet e natës, të cilat kanë pasur detyrimin për të mos u hapur.  Jo të gjithë e kanë zbatuar urdhrin e dalë për mbylljen e lokaleve të natës, që janë kthyer në vatra infeksioni. Ky akt normative, jo vetëm përcakton rritje të masës së penalitetit, por edhe vlerëson një penalizim të aktivitetit për një periudhë njëvjeçare kur nuk zbatohen masat.

Këto nuk janë masa me synim gjobitjen e këtyre subjekteve, por për të parandaluar përhapjen e pandemisë. Të rinjtë apo ata që frekuentojnë klubet e natës janë vlerësuar si përhapës të infeksionit gjatë kësaj periudhe. Vendosja dhe miratimi i këtij akti normativ vjen për të forcuar instrumentet ligjore për zbatimin e masave anti-Covid. Po përgatitemi për vjeshtën dhe dimrin për të administruar situatën, ku nëse do të vijojmë të kemi një neglizhim të masave, duhet të parapërgatitemi për rritje të infeksionit. Ajo që po bëjmë është që po marrim masa parandaluese dhe ky akt normativ është i tillë. Edhe vendosja e maskave me ligj është një masë parandaluese”, u shpreh Manastirliu.