Ndryshimet kushtetuese, PD: Miratimi i njëanshëm vë në pikëpyetje këshillin politik

Sekretari për Çështjet Zgjedhore në Partinë Demokratike, Ivi Kaso paralajmëroi mazhorancën se çdo miratim i njëanshëm i ndryshimeve kushtetuese, do të vinte në pikëpyetje të gjithë marrëveshjen politike të 14 janarit që uli palët në tryezën e dialogut, si dhe funksionimin e Këshillit Politik që ishte produkt i kësaj marrëveshje.

“Kemi dhënë ofertën tonë edhe dje në tryezën e konsensusit, ku kemi propozuar formulë konsensuale, pra një dakordësi politike që mazhoranca të tërhiqet nga aventura e njëanshme kushtetuese. Të merret ekspertiza më e mirë e OSBE-ODIHR për të draftuar së bashku me partnerët ndërkombëtarë një amendament kushtetues që të adresojë vetëm nevojën e artikuluar për hapjen e listave qoftë dhe për garën e ardhshme elektorale dhe të mos preken aspekte të tjera të kushtetutës që në të vërtetë janë qëllimi i mazhorancës.

Ekzistencën e Këshillit Politik e vë në pikëpyetje sjellja e njëanshme e mazhorancës e cila duke kaluar ndryshimet kushtetuese në mënyrë të njëanshme që ndryshojnë rregullat e lojës dhe zhbëjnë marrëveshjen e 5 qershorit, zhbëjnë “de facto” dhe marrëveshjen e 14 janarit që palët janë impenjuar me shkrim përpara shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë”, u shpreh Ivi Kaso për A2.