Opozita kërkon mbledhjen e Këshillit Politik ditën e sotme

Përfaqësuesit e opozitës së bashkuar, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili i kanë kërkuar përmes një letre kolegëve në Këshillin Politik mbajtjen e një tjetër mbledhje gjatë ditës së sotme në orën 18:00.

Pas dështimit të mbledhjes së një dite më parë, përfaqësuesit e opozitës ripërsërisin qëndrimin e tyre se janë të gatshëm për të vijuar negociatat për gjetjen e një zgjidhje të pranueshme nga të gjitha palët

“Ritheksojmë edhe njëherë gatishmërinë tonë për të vijuar dialogun, me qëllim ecjen përpara në një proces gjithëpërfshirës dhe një produkt konsensual. Propozimi juaj për t’i bërë fakt të kryer ndryshimet e njëanshme kushtetuese shkatërron konsensusin, shkel marrëveshjet e 14 janarit dhe 5 qershorit të nënshkruara nga vetë Partia Socialiste, dhe sjell pasoja të rënda për stabilitetin, demokracinë dhe integrimin europian të vendit”, shkruhet në letrën e Bylykbashit dhe Vasilit.

Mes të tjerash, në letrën e opozitës tregohen dhe propozimet që ata bënë në mbledhjen e datës 28 korrik të cilat ishin:

1.     Të ndalet ndryshimi i njëanshëm kushtetutes.

2.      Të punohet bashkërisht, pa humbur kohë, për hartimin e një amendamenti të përbashkët që mundëson hapjen e listave, pa asnjë ndryshim tjetër shtesë.

3.      Të shfrytëzohet kjo kohë që të detajohen rregullat shoqëruese në Kodin Zgjedhor, me qëllim që ndryshimi kushtetues dhe rregullat shoqëruese të Kodit Zgjedhor për hapjen e listave, të shkojnë si një paketë e vetme për miratim në Parlament.

Opozita e bashkuara deklaron se çdo akt i njëanshëm, cenon rëndë legjitimitetin e zgjedhjeve dhe qeverisjet që dalin prej tyre.