Basha: Kuvendi gjysmak shkeli Kushtetutën. Rama tregoi fytyrën e autokratit të tmerruar

Opozita e bashkuar reagoi pas votimit në Kuvend të ndryshimeve kushtetuese që rikthen listat e hapura dhe riorganizimin e koalicioneve partiake parazgjedhore.

“Sot në Kuvendin gjysmak, Edi Rama dhe vartësit e tij shkelën Kushtetutën, historinë tonë të përbashkët, konsensusin të cilin u detyruan ta firmosin. Kurrë më parë Kushtetuta nuk është ndryshuar në mënyrë të njëanshme dhe pa konsensusin e opozitës. Kurrë më parë në këto 30 vite nuk janë vendosur vetëm nga partia në pushtet”, tha kreu i PD, Lulzim Basha, i shoqëruar nga krerët e partive aleate.

“Rama kërkon të marrë peng Shqipërinë për të shpëtuar veten e tij. Shqipëria i është dashur vetëm për interesat e tij. Nuk do t’ia dalë. Akti i sotëm është tregues i fundit se Edi Rama e di që koha e tij po mbaron. Ai ka humbur besimin e shqiptarëve dhe i ka mbetur vetëm të manipulojë sistemin. Ndryshimet e njëanshme në shkelje të 5 qershorit dhe 14 janarin, janë të papranueshme, nuk janë të detyrueshme për opozitën dhe për qytetarët. Akti i sotëm tregoi para partnerëve fytyrën e autokratit të tmerruar. Makinacionet nuk kanë për ta frenuar rotacionin, ndryshimi është i pashmangshëm”, shtoi kreu i PD.