Fëmijët shqiptarë në Al-Hawl: Na ktheni në shtëpi

Fëmijët e Al-Hawl bëjnë thirrje për ndihmë. Pak muaj më parë, gjatë vizitës së A2 në kampin Al-Hawl, 10-vjeçari nga Gostivari, Osama Fidani, ndonëse i burgosur nuk kishte humbur buzëqeshjen e një fëmije.

Sot, zëri i ka ndryshuar dhe të vetmet fjalë që ai përcjell nëpërmjet një mesazhi zanor për A2 janë ato për ndihmë. Pak ditë më parë, në rrethana krejt të paqarta, vëllai i tij 13-vjeçar është marrë nga ushtarët kurdë dhe që nga ai moment nuk dihet asgjë për të: “U bënë dy muaj që vëllai im nuk është me ne. Na morën për të bërë regjistrimin dhe ne menduam se do të na kthenin në shtëpitë tona. Por na gënjyen. I morën të gjithë çunat, aty ishte edhe vëllai im. Nuk e dimë ku është tani. Jemi të mërzitur që shteti nuk po na merr. Ne jemi fëmijë dhe duam të kthehemi në shtëpi”.

Të njëjtën situatë po përjetojnë edhe fëmijët e tjerë brenda kampit që me zë të mekur kërkojnë ndihmë, kërkojnë kthimin në shtëpi.

Prej disa ditësh, shqiptarët në kampin Al-Hawl kërkojnë dëshpërimisht të bëhet diçka nga strukturat ligjzbatuese. Në redaksinë e A2 vijojnë të mbërrijnë kërkesa ndihme nëpërmjet letrave dhe mesazheve zanore. Të njëjtat letra familjet e tyre në Shqipëri ua kanë drejtuar edhe autoriteteve shqiptare, Ministrisë së Jashtme, Ministrisë së Brendshme, si edhe vetë kryeministrit, por deri në këtë moment nuk kanë marrë asnjë përgjigje, me gjithë insistimin e tyre disamujor.

Në nëntor të vitit 2019, gazetari Jul Kasapi u takua me shqiptarët që ndodhen në atë kamp. Referuar edhe një regjistri të mbajtur nga vetë gratë e atij kampi, aty ndodhen rreth 80 shqiptarë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Më shumë se gjysma e tyre janë fëmijë.