Ish-kandidati presidencial nuk e fitoi dot betejën me COVID-19

Një ish-kandidat presidencial nuk e ka fituar sot betejën e tij ndaj COVID-19. Bëhet fjalë për 74-vjeçarin Herman Cain, sipërmarrës i suksesshëm dhe një nga mbështetësit më të mëdhenj në komunitetin afro-amerikan të presidentit Donald Trump, aq sa ishte propozuar nga presidenti Trump në bordin e Federal Reserve disa kohë më parë, por pa sukses.

Cain ishte i shtruar në spital nga 1 korriku, dy javë pasi kishte marrë pjesë në konventën e Trump në Tulsa të Oklahomës, që u kritikua gjerësisht si i rrezikshëm në një kohë pandemie.

Në vitin 2012, Cain ishte kandiduar për zgjedhjet presidenciale, si eksponent i rëndësishëm i rrymës konservatore të Tea Party, dhe mbahet mend për sloganin e tij “9-9-9”, planin ekonomik që parashikonte një seri taksash të sheshta me 9%.

Presidenti Trump kujtoi mikun e tij duke e cilësuar si “një zë i fuqishëm i lirisë, me një karrierë të jashtëzakonshme, një patriot i vërtetë”.