Këlliçi: Me koalicione, pa koalicione, PD do ta mundë Ramën

Pesë orë diskutime dhe asnjë marrëveshje për ndryshimet kushtetuese, ndërsa sot zhvillohet seanca parlamentare ku mazhoranca shkon e vendosur për të miratuar ndryshimet në Kushtetutë, ndryshime të njëanshme, sipas opozitës, të cilat çojnë palët në garë me rregulla të ndryshuara.

Kreu i Forumit Rinor të PD, Belind Këlliçi, ishte i ftuar në A2 ku foli për këto zhvillime. Ai shprehet se opozita përfaqëson 765 mijë qytetarë dhe është e pamundur të bësh ndryshime të kushtetutës në mënyrë të njëanshme.

“Ka qenë një kriter që në fillim që i gjithë debati të zhvillohej në Këshillin Politik. Për të gjitha vendimet që merreshin aty të votoheshin në Kuvend, por sot po ndodh e kundërta. Opozita përfaqëson 765 mijë qytetarë dhe është e pamundur të bësh ndryshime të kushtetutës në mënyrë të njëanshme. Gjatë gjithë kohës kemi pasur thirrje për debat. Seanca e sotme është një seancë fasadë, pasi nuk ka një opozitë reale. Unë uroj që edhe pse ka mbetur shumë pak kohë, të ketë një reflektim. Duhet ta kuptojnë që po dëmtojnë të ardhmen europiane dhe integrimin e vendit. Pse i duhet vënë kazma që një procesi që u finalizua pas 6 muajsh? PD nuk mori gjithçka që kërkoi dhe PS po ashtu. Nuk e kuptoj se pse duhej zhbërë i gjithë ky konsensus. Në asnjë moment diskursi i PS nuk ka të bëjë me hapjen e listave, e gjithë kleçka janë koalicionet zgjedhore. Unë kam bindje se me koalicione apo koalicione, PD e mund Edi Ramën, i cili do të largohet pas zgjedhjeve të ardhshme”, u shpreh Këlliçi.