Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 50%
  • Qendrat historike 0%

Kurorëzimi i bardhebluve, Tirana ngre titullin, festë në rrugët e kryeqytetit

Nga A2 CNN
30 Korrik 2020, 11:14 | Futboll

Me stadiumin kombëtar të boshatisur dhe tifozerinë bardheblu të ndaluar për të qënë pjesë e festës, Tirana u kurorëzua kampione në mënyrë zyrtare.

Skuadra e Emanuel Egbo ngriti lart titullin e 25-të në historinë e Tiranës në përfundim të ndeshjes me Bylisin e cila shënoi edhe fundin e sezonit me të gjatë të zhvilluar ndonjëherë në Kategorinë Superiore.

Ndeshja e cila pati pak rëndësi sa i përket rezultatit, u mbyll në barazim 1-1, me skuadrat, bardheblutë kryesisht, të cilat hodhën në fushë futbollistët më pak të aktivizuar gjatë kampionatit.

Në fund ceremonia e titullit, me presidentin Meta, i cili i dorëzoi trofeun e kampionëve kapitenit Erando Karabeci ndërsa bardheblutë festuan vetëm në praninë e mediave dhe familjarëve.

Rrethimi i stadiumit dhe sheshit “Nënë Tereza” nga forcat e policisë nuk i shqetësoi tifozët e Tiranës të cilët organizimin e tyre e zhvendosën në Sheshin Skënderbej. Prej andej në grup apo me automjetet e tyre personale, mbështetësit iu drejtuan bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, ku parakaluan me flamujt bardheblu.

Në orët e vona të mbrëmjes, pjesës së mbetur të tifozëve iu bashkuan edhe futbollistët e ekipit të Tiranës të cilët ndanë gëzimin me ta e më pas vijuan me festimet në mënyrë private.

Klubi kryeqytetas ka bërë me dije se festa e madhe e 100-vjetorit dhe titullit do të zhvillohet menjëherë sapo të ketë një përmirësim të situatës me pandeminë dhe masave kufizuese.

A2 CNN Livestream

Dita jonë