Miratimi i ndryshimeve kushtetuese, KE: Njohim vendimin, por dialogoni në Këshill për kodin

Komisioni Europian 1 1100x620

Komisioni Europian reagoi pak minuta pas miratimit në Kuvend të ndryshimeve kushtetuese, duke deklaruar se e njeh këtë vendim.

Zëdhënësja Ana Pisonero deklaroi në Twitter se gjithsesi është për të ardhur keq që nuk iu dedikua më shumë kohë fazës përgatitore për të gjetur një kompromis me të gjitha palët në Këshillin Politik.

Zëdhënësja e Komisionit Europian nënvizon se tani është thelbësore që ndryshimet në kodin zgjedhor, për të zbatuar ndryshimet kushtetuese, në veçanti listat e hapura dhe roli i koalicioneve parazgjedhore, të diskutohen siç duhet me të gjithë aktorët politikë në Këshillin Politik në një mënyrë bashkëpunuese dhe gjithëpërfshirëse përpara se të votohen.

Pisonero shton edhe se amendimet në kod, sipas marrëveshjes së 5 qershorit, që u miratuan më 23 korrik, kanë përmbushur kushtin e vendosur nga këshilli, kur miratoi hapjen e negociatave të anëtarësimit marsin e kaluar.

Të njëjtin reagim përcolli edhe ambasadori i Bashkimit Europian ne Tirane, Luigi Soreca.