Rama, mesazh për ndërkombëtarët: I takon shtetit shqiptar të vendosë për sistemin zgjedhor

Nga foltorja e parlamentit, në seancën e fundit të këtij sesioni parlamentar ku pritet të miratohen ndryshimet kushtetuese, Rama pati edhe një mesazh për ndërkombëtarët.

Ai u shpreh se i takon shtetit shqiptar të vendosë se çfarë bën me sistemin zgjedhor. “Uroj që ta dëgjojnë këtë mesazh miqtë tanë. Mesazhi nga foltorja e një parlamenti sovran, e një qeverie sovrane. Komisioni i Venecias thotë për sistemet zgjedhore se shtetet kanë marzhë të gjerë vlerësimi për sistemet zgjedhore. Komisioni i Venecias dhe OSBE/ODIHR nuk rekomandojnë ndonjë sistem të veçantë në lidhje me shpërndarjen e mandateve. Ky është standardi që kanë vendosur në unison organizmat ndërkombëtarë që garantojnë votën e lirë. Prandaj, miqtë dhe partnerët tanë duhet ta dëgjojnë se i takon shtetit shqiptar se çfarë bën me sistemin zgjedhor. Nuk është një vendim që duhet ta ndajmë as me ambasadoren amerikane dhe me askënd tjetër, duke i respektuar maksimalisht.

U bënë 30 vjet dhe nuk mund të bëhen edhe 30 vjet të tjera nëse vazhdojmë të mos i themi gjërat ashtu siç janë. Nuk është përgjegjësia e ndërkombëtarëve që ne kërkojmë prej 30 vitesh zgjidhje nga ata, për të komunikuar me njëri tjetrin. Por, kur thotë ambasadorja amerikane që do të ndjekim drejtuesit politik nëse do të mbajnë apo jo fjalën, nuk më vjen mirë. Ajo fjali është për të gjithë përfaqësuesit këtu, që kur merr përsipër të përfaqësojnë popullin, të mos e bëjë qesharak popullin e vet, vendin e vet, shtetin e vet sepse e kemi krijuar ne këtë trashëgimi të ulët, e cila është vazhdim i një historie të gjatë mes shqiptarëve që kanë çuar shqiptarët në situate të padëshirueshme”, u shpreh Rama ndër të tjera nga foltorja e Kuvendit.