Seanca e “Kushtetutës”, PS mbron ndryshimet, Hajdari: Historike, fitore e shqiptarëve

parlament deputetet kushtetuta frame 2172 1100x620

Mazhoranca në parlament ka mbrojtur ndryshimet kushtetuese përmes relatorëve Alket Hyseni dhe Klotilda Bushka, duke i cilësuar ato si dëshirën e shqiptarëve.

“Drafti ka dy ndryshime, nenet 64 dhe 68 konsistojnë në dy elementë. I japin votës fuqinë e merituar. Tani shqiptarët nuk do të votojnë vetëm siglën e një partie apo kryetarin e saj, por do të kenë mundësi të zgjedhin emrin që mendojnë se është më i miri”, u shpreh Hyseni.

Ndërsa deputetja Klotilda Bushka u shpreh: “Po në Kodin Zgjedhor, pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese sot, do të vendosen dhe rregulla për pragun elektoral. Sa i takon debatit për çështjen e koalicioneve që për mua mishërohet në shprehjen “Shumë zhurmë për asgjë”,  më duhet të sqaroj opinionin publik se Kushtetuta nuk e ndalon shprehimisht se koalicionet parazgjedhore nuk do të jenë. Por sistemi me lista të hapura nuk i pranon formatet e koalicioneve sipas atyre që zbatohen sot.

Për Rudina Hajdarin, kjo e sotmja është një ditë historike dhe fitoren e betejës së saj, ja kushton shqiptarëve.

“Sot po votojmë një ndryshim historik për vendin tonë, pikërisht hapjen e listave. Unë sot këtë fitore dua t’ua dedikoj qytetarëve shqiptarë. Në sallë do të vijnë deputetët që janë punëtorë dhe jo ata që lëpihen ndaj kryetarëve. Kemi hedhur një hap të madh drejt ndryshimit. Urime të gjithëve!”, u shpreh Hajdari.