Votime në shkollat e larta, 4 mijë pedagogë zgjedhin drejtuesit, studentët të ndarë

Zhvillohen zgjedhjet për drejtuesit e rinj të 12 universiteteve publike. Në kushtet e pandemisë, procesi nisi në orën 8 të mëngjesit nga çdo qendër votimi e ngritur pranë fakultetet. Të parët që iu drejtuan kutive ishin stafet akademike të cilët kanë dhe peshën kryesore të votës 90%, ndërsa 10% e votave studentore.

Pjesëmarrja e të rinjve ishte e ulët, por edhe ata që votuan nuk i njihnin kandidatët dhe as programet e tyre. Të tjerë studentë kanë zgjedhur të bojkotojnë.

Edhe këto zgjedhje, veçanërisht për universitetin e Tiranës, u paraprinë nga kundërshtitë dhe protestat për shkak  të pandemisë dhe mungesës së studentëve. Opozita i cilësoi të paligjshme, duke i krahasuar me zgjedhjet politike të 30 qershorit.

Ndërkaq rreth 4 mijë pedagogë të universiteteve publike dhe vota e studenteve pjesëmarrës do të nxjerrë rektoret, dekanët dhe anëtarët e rinj të senateve për 4 vitet e ardhshme.