Krizat si mundësi, alternativat e investimit në kohën e Covid-19

Në kohë krize, njerëzit kërkojnë që të ruajnë vlerën e parave dhe kursimeve të tyre. Por, ka edhe nga ata që i shtojnë fitimet.

Në botë, sa herë që ka situata që krijojnë pasiguri, investitorët zgjedhin arin si një alternativë investimi të besueshme. Kjo është arsyeja që çmimi i arit ka arritur këto ditë nivelet rekord të 1975 dollarë për onz. Por, a investohet njësoj në Shqipëri? 

Majlind Lazimi, ekspert për ekonominë, shprehet: “Shqiptarët e shikojnë arin për përdorim, jo si vlerë investimi. Janë shumë pak individë që e zgjedhin si alternativë”.

Ndërsa eksperti Dael Dervishi thotë: “Edhe në Shqipëri ka disa banka të nivelit të dytë që ofrojnë shitblerjen e arit, edhe Banka Qendrore e ofron në disa forma”.

Në Shqipëri, alternativat që preferohen më shumë për të investuar janë në hapjen e një biznesi, në pasuritë e patundshme, depozitimi në bankë i kursimeve, investimi në letrat me vlerë të qeverisë si dhe në fondet e investimit. Secila prej tyre ka risk të ndryshëm dhe rrjedhimisht, edhe nivel të ndryshëm fitimi.