Miratimi i ndryshimeve kushtetuese, reagon PPE: U ndryshuan arbitrarisht rregullat e lojës

Partitë Popullore Europiane (PPE) kanë kundështuar fort miratimin e ndryshimeve kushtetuese nga mazhoranca dhe opozita parlamentare. Zëdhënësi i PPE- ve, Michael Gahler, tha se i shihte “të diskutueshme qëllimet e vërteta të partisë në pushtet që prishi konsensusin e arritur ndëkombëtarisht dhe ndryshoi Kushtetutën në mënyrë të njëanshme”.

“Është e papranueshme për askënd që qeveria Rama e cila do hapjen e negociatave me BE, të ndryshojë në mënyrë arbitrare rregullat e lojës zgjedhore. Nëse kjo qeveri do vërtetë hapjen e negociatave me BE, nuk mund të mos pranojë këshillat e Parlamentit Evropian, Komisionerit Europian dhe shteteve anëtarë për një çështje kaq të ndjeshme dhe themelore për demokracinë”, tha Gahler.

Zëdhënësi i PPE thotë se grupi i partive të djathta do të monitorojë me kujdes veprimet e ardhshme lidhur me Kodin Zgjedhor dhe do të nxisë me forcë arritjen e konsensusit me opozitën në Këshillin Politik.

PPE-së iu përgjigj ministrja e Shtetit për Marrëdheniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, e cila konsideroi fyese gjuhën e zëdhënësit Gahler: “Dikush duhet t’ia shpjegojë zëdhënësit të partive simotra të PD-së në Parlamentin Europian, se Parlamenti i Shqipërisë nuk është as i njëanshëm, as në varësi të ndonjë familjeje partiake në Bruksel. Me këtë rast e ftoj modestisht zotin Gahler të mos e fyejë në emër të Lulzim Bashës dhe si Lulzim Basha e partia e tij ekstra-parlamentare, as Parlamentin legjitim, as qeverinë e as opozitën parlamentare të Shqipërisë, e mbi të gjitha të mos e fyejë popullin shqiptar, i cili në shumicë dërrmuese kërkon hapjen e listave zgjedhore”.  

Spiropali ftoi edhe një herë opozitën në Shqipëri të vazhojë dialogun për reflektimin e ndryshimeve kushtetuese në Kodin Zgjedhor.

PD-ja reagoi përmes nënkryetarit Edi Paloka që e cilësoi turp të qeverisë sulmin ndaj zëdhënësit të PPE-së: “Është e pandershme që qeveria të trajtojë mikun gjerman si armik, vetëm pse Michael Gahler tha të vërtetën. Me ndryshimet e njëanshme kushtetuese marrëveshja e arritur me opozitën u zhbë, partnerët nga BE dhe vendet anëtare nuk u dëgjuan, rregullat e lojës për zgjedhje u ndryshuan në mënyrë të njëanshme. Fyes për shqiptarët është të mashtrosh partnerët është t’u premtosh marrëveshje dhe pastaj ta grisësh atë”.

Sipas Palokës, qeveria tradhtoi interesat e shqiptarëve duke shpërfillur paralajmërimet e Bashkimit Europian dhe izoluar vendin.