Të papunët e Covid-19, miratohet skema, subvencionim nga shteti për pagën dhe kontributet

Të gjithë personat që kanë humbur punën për shkak të situatës së krijuar nga pandemia Covid-19 do të ripunësohen me mbështetje nga shteti. 

Qeveria ka miratuar në mbledhjen e fundit programin e nxitjes së punësimit, që parashikon subvencionimin të pagës minimale dhe kontributeve shoqërore për të gjithë të papunët e dalë nga data 10 mars deri më 23 qershor. 

Për të përfituar nga ky program, personat e dalë të papunë gjatë kësaj periudhe duhet të jenë evidentuar si të tillë nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe të regjistruar në zyrat e punës si punëkërkues.  

Programet e parashikuara për punëdhënësit do të jenë 4, 8 ose 12-mujore, ku kompanitë mund të bëhen pjesë e tyre përmes një aplikimi online në Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, që do të jetë edhe institucioni që do të ndjekë të gjitha procedurat. 

Për kontratat 4-mujore, shteti do të marrë përsipër subvencionimin e pagës minimale për dy muaj, ndërsa për programin 8-mujor financimi do të jetë për 4 muaj, teksa kontributet shoqërore në të dyja rastet do të subvencionohen për të gjithë periudhën.

Për rastet ku kompanitë do të lidhin kontrata 1-vjeçare punësimi, vendimi parashikon që shteti të financojë vetëm kostot e sigurimeve të detyrueshme për një periudhë 12-mujore.