Rritet tensioni mes ish-miqve Putin e Lukashenko, Bjellorusia: Kemi arrestuar mercenarët rusë

Autoritetet në Bjellorusi kanë deklaruar se kanë arrestuar 33 mercenarë rusë, të cilët dyshohet se do të kryenin veprime terroriste për të “destabilizuar” vendin para zgjedhjeve presidenciale të muajit gusht, raportoi Agjencia Shtetërore e Lajmeve, Belta.

Arrestimet vijnë në një moment tensioni të shtuar mes dy shteteve fqinje, ndërsa problemet mes dy presidentëve, Vladimir Putin dhe Alexander Lukashenko sa vijnë e shtohen. Autoritetet thanë se kishin marrë informacione për më shumë se 200 militantë të mbërritur nga Rusia, dhe arrestuan vetëm 33, të identifikuar si pjesëtarë të kompanisë ushtarake private “Wagner”, që mendohet se është në pronësi të biznesmenit Yevgeny Prigozhin, i konsideruer gjerësisht si oligark dhe njeri me lidhje të afërta me Putin.

Luftëtarët e “Wagner” më parë janë vendosur edhe në Ukrainë, Siri, Libi dhe shtete të tjera. Lukashenko ka gjasa ta përdorë këtë moment për të portretizuar veten si mbrojtës i vendit në mënyrë që të sigurojë një tjetër mandat si president.

Zgjedhjet në vend mbahen më 9 gusht, në të cilat Lukashenko kërkon mandatin e gjashtë, pavarësisht protestave të mbështetësve të opozitës. Këshilli i Sigurisë u mblodh të enjten dhe tha se siguria në vend para zgjedhjeve do të shtohej për të mos lejuar ndërhyrje nga jashtë. Pjesë e masave mund të jetë edhe kufizimi i internetit në disa zona, gjatë protestave.

Kremlini ka mohuar të ketë lidhje me personat e arrestuar, si dhe për ndonjë aktivitet të paligjshëm të ndodhur në Bjellorusi, por shkrimtari rus Zakhar Prilepin, i cili ka luftuar me separatistët në Ukrainë, shkroi në Facebook se kishte njohur mes të arrestuarve disa ushtarë të cilët kishin luftuar në batalionin e tij. Por ai shtoi se me shumë gjasa, ata thjesht po kalonin transit në Bjellorusi pasi po shkonin për të luftuar në ndonjë vend tjetër dhe janë arrestuar nga Lukashenko për t’u përdorur para zgjedhjeve.